Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të cilët sot janë në luftë për ekzistencë.

Çitaku, në konferencë për media tha se në krizën më të madhe ekonomike të Kosovës, Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat, njofton Klankosova.tv.

“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Tutje, Çitaku vlerëson se Kurti nuk po qeverisë me vendin – përkundrazi, ai po ikë prej përgjegjësisë që e ka marrë nga vota e qytetarëve.

“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”.

Sipas Çitakut, kjo është një zgjedhje që Kryeministri Kurti e ka bërë nga fillimi i mandatit e deri sot – duke abstenuar nga qeverisja dhe ballafaqimi me sfidat dhe problemet e qytetarëve.

“Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 për qind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Mes tjerash, ajo ka thënë se krahas papërgjegjësisë totale në qeverisjen e brendshme, qeveria aktuale po tregohet tërësisht jotransparente edhe për procesin e dialogut.