I pafunksionalizuar ka mbetur një objekt parashkollor për gati një dekadë e gjysmë në rrugën “Skënderbeu”, në drejtim të fshatit Dumnicë të Podujevës.

I paraparë për çerdhe ky objekt mbeti në gjysmë, për shkak të një kontesti gjyqësor ndërmjet investitorit dhe punëkryesit, shkruan sot “Koha Ditore”. Oborri i saj është mbushur mbeturina, pasi askush nuk është duke u kujdesur për të.

Banorët e kësaj pjesë shprehën të habitur që pas kaq shumë vjetësh ky institucion edukativ nuk është askund gati për të filluar punë. Sipas tyre, neglizhenca e institucioneve përkatëse ka bërë që ky objekt të qëndrojë i mbyllur.

Shumë më pak i informuar se banorët për këtë objekt shprehet drejtori në detyrë për Arsim në Komunën e Podujevës, Avni Maloku. Ai thotë të mos e di as se kush e ka ndërtuar këtë objekt dhe po ashtu as se cili është kontesti juridik.