Kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar sonte programin e tij qeverisës, derisa ka premtuar zhvillim për Llapin dhe Gollakun, shkruan Llapi.info.
Bulliqi, duke shtuar se sa ka qenë në krye të Komunës, Podujeva, sipas tij, është vlerësuar dhe ka pasur arritje. Ai ka thënë se përgjatë kësaj kohe është qeverisur me transparencë dhe pa korrupsion.
“Llapi ka qenë Komuna që i ka prirë ndryshimeve në të gjithë Kosovën. Një politikë e re nisi një vit më parë. Një politikë pa korrupsion dhe me transparencë. Për nëntë muaj e dinim që s’mundim t’i realizonim të gjitha kërkesat e tyre. Kemi pasur arritje dhe kemi marrë vlerësime. Kemi bërë digjitalizimin e administratës. U kemi ndihmuar fermerëve dhe bujqve tanë. Do të punojmë pandërprerë. Së bashku me Albin Kurtin do ta zhvillojmë Llapin dhe Gollakun. Do të bisedojmë secilën ditë me ju qytetarë. Do ta kalojmë çdo sfidë. Ne do të vazhdojmë të takohemi përditë. Së bashku me aktivistët, deputetët, ministrat dhe qytetarët do ta festojmë fitoren në Podujevë. Nuk ka rrugë fitore përveç fitores. Për Podujevën do të jetë vetëm numri 144”, ka thënë Bulliqi.
Duke prezantuar programin e tij qeverisës, Bulliqi ka thënë se Podujevës do t’i shtohen katër çerdhe publike, parking nëntokësor dhe do të ndërtohet një urgjencë e qytetit, në mënyrë që, siç ka deklaruar ai, qytetarët të mos shkojnë në Prishtinë për të kërkuar ndihmë mjekësore.
“Me 17 tetor do të fitojmë edhe një herë. Llapi dhe Gollaku nuk njeh kthim prapa. Do të ndërtojmë parkingun nëntokësor, do të ndërtojmë stacionin e autobusëve, urgjencën e qytetit. Gjatë katër viteve të parë do të hapen katër çerdhe. Do të ndërtojmë një qendër për qëndrim ditor për personat e moshuar. Ne do të ndërtojmë një zonë industriale në periferi të qytetit. Prodhuesit vendorë e ndihmojnë punësimin. Do të krijojmë fond për këta prodhues. Ne do të themelojmë një ndërmarrje publike, ku do t’i punësojmë banorët nga fshatrat dhe qyteti. Jetës kulturore do t’i shtojmë gjallëri. Në fokus do të jetë edhe mungesa e ujit. Ne do të investojmë për këtë problem”, është shprehur ai./Llapi.info






