Kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës, njëherësh kryetar aktual, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar sonte programimin e tij qeverisës në sheshin e qytetit, raporton Llapi.info.
Bulliqi ka thënë se gjatë këtyre nëntë muajve në krye të Komunës është qeverisur, siç ka thënë ai, me transparencë dhe pa korrupsion.
“Llapi ka qenë Komuna që i ka prirë ndryshimeve në të gjithë Kosovën. Një politikë e re nisi një vit më parë. Një politikë pa korrupsion dhe me transparencë. Për nëntë muaj e dinim që s’mundim t’i realizonim të gjitha kërkesat e qytetarëve. Kemi pasur arritje dhe kemi marrë vlerësime. Kemi bërë digjitalizimin e administratës. U kemi ndihmuar fermerëve dhe bujqve tanë. Do të punojmë pandërprerë”, ka thënë ai.
“Me 17 tetor do të fitojmë edhe një herë. Llapi dhe Gollaku nuk njeh kthim prapa. Do të ndërtojmë parkingun nëntokësor, do të ndërtojmë stacionin e autobusëve, urgjencën e qytetit. Gjatë katër viteve të parë do të hapen katër çerdhe publike. Do të ndërtojmë një qendër për qëndrim ditor për personat e moshuar. Ne do të ndërtojmë një zonë industriale në periferi të qytetit. Prodhuesit vendorë e ndihmojnë punësimin. Do të krijojmë fond për këta prodhues. Ne do të themelojmë një ndërmarrje publike, ku do t’i punësojmë banorët nga fshatrat dhe qyteti. Jetës kulturore do t’i shtojmë gjallëri. Në fokus do të jetë edhe mungesa e ujit. Ne do të investojmë për këtë problem. Së bashku me Albin Kurtin do ta zhvillojmë Llapin dhe Gollakun. Do të bisedojmë secilën ditë me ju qytetarë. Do ta kalojmë çdo sfidë. Ne do të vazhdojmë të takohemi përditë. Së bashku me aktivistët, deputetët, ministrat dhe qytetarët do ta festojmë fitoren në Podujevë. Nuk ka rrugë fitore përveç fitores. Për Podujevën do të jetë vetëm numri 144”, ka thënë Bulliqi.
Zgjedhjet komunale do të mbahen më 17 tetor, ndërkohë që për postin e kryetarit të Podujevës garojnë gjashtë kandidatë./Llapi.info






