Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se stuhia e sotme ka shkaktuar dëme në disa zona të kësaj komune, shkruan Llapi.info.
Në një reagim në Facebook, Bulliqi ka apeluar tek të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar këto ditë nga rreziqet që mund të kanosen nga moti i keq.
“Moti i ligë që po mbretëron në vendin tonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra të Podujevës, erërat e forta dhe breshëri kanë dëmtuar dhjetëra ekonomi familjare dhe kultura të ndryshme bujqësore në rendimentin e tyre. Si institucione lokale me të gjitha kapacitetet tona do të jemi pranë qytetarëve në nevojat e tyre për ta kaluar shpejt këtë situatë. Njëherit, apeloj tek të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar këto ditë nga rreziqet që mund të kanosen nga moti i keq”, shkruan ai.
Llapi.info ka pranuar dhjetëra mesazhe për dëmet e mëdha që ka shkaktuar kjo stuhi – mesditën e kësaj të hëne./Llapi.info






