Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim, komandantin e Regjionit Qendër – Lindje të KFOR-t, kolonelin Simpson dhe përfaqësuesit e KFOR-it në Podujevë, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në komunën e Podujevës, veçmas situatën e sigurisë, transmeton Llapi.info.

Fillimisht, në cilësinë e nikoqirit, kryetari Bulliqi e ka njoftuar, kolonelin Simpson me zhvillimet në komunën e Podujevës dhe projektet kryesore të cilat shënojnë objektivat e qeverisë lokale në këtë fillim mandat.

“Spitali i qytetit, dhe Qendra Emergjente, e cila do të fillojë së shpejti, janë dy projektet kryesore në fushën e shëndetësisë, ndërsa projekt në të cilin po angazhohemi vazhdimisht është edhe Zona Ekonomike dhe ndërtimi i Stacionit të Autobusëve. Ndërsa projekti kryesor në fushën e infrastrukturës është rikonstruktimi i rrugës “Skenderbeu” gjithashtu po punojmë që projektet tona të arrijnë tëk secili qytetarë në secilin cep të komunës së Podujevës” tha kryetari Bulliqi.

Koloneli Simpson, gjatë bisedës u interesua edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, për faktin se komuna e Podujevës është komunë kufitare dhe vlerësoi bashkëpunimin e mirë që KFOR-i dhe komuna e Podujevës kanë treguar në vazhdimësi.

Në fund të dyja palët u dakorduan për vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe në fusha tjera me rendësi për qytetarët e komunës së Popdujevës./Llapi.info