Foto ilustrim

Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit, shpenzimet e paplanifikuara, problemet në prokurim, shkeljet në punësim dhe nepotizmi janë në mesin e gjetjeve të prezantuara nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, mbi të cilat është mbështetur vendimi për shkarkimet në KEK.

Hajdari gjatë një video-incizimi të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti i ka numëruar të gjitha gjetjet, duke thënë se “përgjegjësinë e ndajnë bordi i shkarkuar dhe dy ish-zyrtarët e lartë tashmë të shkarkuar”.

“Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit — Më 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e bonuseve për bordet e ndërmarrjeve publike. Por bordi i KEK-ut ka vendosur t’i ndajë vetes bonuse. Për më tepër, në vitin 2019 ka përcaktuar kriteret për t’ia vlerësuar vetes punën që ka bërë më 2018. Vendimet e bordit pra janë jo vetëm të paligjshme, por të turpshme”, ka thënë ajo.

Sa iu përket shpenzimeve të paplanifikuara dhe problemeve në prokurim, Hajdari ka thënë se probleme me tenderët ka pasur “në vazhdimësi”.

“Një nga shembujt më të fundit është kontrata mbi 1-milionëshe e skanimit: Në dhjetor të vitit të kaluar, KEK-u ka lidhur kontratë me vlerë mbi 1 milion euro për të digjitalizuar dokumente. Kontrata s’ka qenë fare e paraparë në planin e biznesit”, ka thënë ajo.

Përpos tyre, Hajdari ka paraqitur edhe shkeljet lidhur me punësimin:

Sa i përket nepotizmit, “listat e të punësuarve në ndërmarrje dëftojnë për parregullsi dhe nepo­ti­zëm në procedura të rekrutimit. Anëtarët e bordit kanë arritur të punësojnë të afër­mit e tyre në pozita të rën­dë­sishme në menaxhment”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën kohë, për të mundësuar punësime të reja, “ndërmarrja ka dy­fi­shuar pozitat dhe një­sitë administrative pa arsye e pa ecuri të ligjshme. Janë emë­ruar pa konkurs zyrtarë në sa e sa pozita të rëndësishme”.

Në mesin e gjetjeve janë edhe, emërimet e gradime të parregullta (për shembull, është emëruar zyrtari i auditi­mit të brend­shëm pa qenë fare kontabilist i certi­fi­ku­ar, siç kërkohet me ligj); punësimi i pensionistëve (KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65-vjeçare të pen­si­o­nimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra. Rrje­dhimisht, ka shkaktuar dëm që kalon vlerën 270 mijë euro. Bordi nuk ka ndër­marrë veprime konform ligjit për të trajtuar këtë çështje); diskriminimi në paga (struktura e pagave është përpiluar sipas perso­nave, jo pozitave. Ka punonjës që paguhen dyfish sa eprori) dhe keqpërdorimet me pagat jubilare (ndërmarrja nuk u ka paguar puno­njës­ve të vet pagat jubilare që u takojnë, duke shkaktuar konteste të kush­tuesh­me në gjy­kata. Por në prag të zgjedh­je­ve, ndërmarrja u ka dhënë pagë jubi­la­re puno­njës­ve që nuk kanë pasur këtë të drejtë, dhe kështu ka shkak­tuar padi për diskriminim dhe shpenzime shtesë të pro­cedurave gjyqësore).

Ndërkohë, gjetjet e prezantuara nga Hajdari, të lidhura me “keqmenaxhimin e pronës dhe shkelje tjera” janë si në vijim: Vonesat në shpronësime (Shkaku i mosveprimit dhe mosbashkëpunimit me komunën, ndërmarrja shpronëson ngastra pasi ato të jenë mbushur me ndërtesa spekulative, që s’kanë qëllim tjetër pos të përfitojnë nga kompen­simi për shpro­nësim. Kostoja e shpronësimit në dy projekte të fundit, për sipër­faqe prej rreth 170 hektarësh, pritet të tejkalojë 50 milionë euro); rreziku nga kërkesat ligjore (KEK-u përballet me rreth 20 milionë euro kër­kesa ligjore, si pasojë e keq­me­naxhimit. Një pjesë e këtyre kërkesave rrezikojnë arbitrazhin, që mund të përcillet me kosto dhe ndëshkime shtesë. Në një tjetër rast, ndërmarrja nuk ka filluar me kohë dhe nuk ka vazhduar arbit­ra­zhin për borxhin në lartësi 4,5 milionë euro që një ope­ra­tor privat i ka KEK-ut nga viti 2013); keqmenaxhimi i financave (ndërmarrja i është detyruar rreth 11 mili­onë euro ndëshkime Administratës Tatimore të Kosovës. 6 milionë dyshohet se janë ndë­sh­ki­me e gjoba vetëm për shkak të moskomunikimit dhe shpër­filljes së rasteve prej për­fa­qësuesve të KEK-ut): shpenzime të tjera (Ndërmarrja ka blerë pa nevojë mbi 20 vetura, ka paguar për shërbime të kontraktuara pa procedura ligjore, dhe ka lidhur kontrata për shit­blerje të energjisë me operatorë që dyshohen të jenë rremë. Në fund, u janë dhënë bonuse menaxhmentit dhe auditorëve, si nxitje për të mos audituar menaxhmentin).

Në mesin e këtyre gjetjeve është përmendur edhe aktakuza ndaj drejtorit.

“Në prill 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur akt­akuzë ndaj anëtarit të bordit të shkarkuar dhe disa zyrta­rë­ve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyr­tare në lidhje me pro­nën e ndër­marrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro”, ka thënë ajo.

Bordi i ri i KEK-ut ka shkarkuar kryeshefin dhe zëvendëskryeshefin. Ka emëruar ushtrues dety­re të kryeshefit z. Luigj Ymeri, drejtor i termocentralit Kosova B