Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka bërë të ditur sanksionin e parë të vendosur ndaj Rusisë.
Ai, në konferencën e jashtëzakonshme, ka thënë se kanë vendosur sanksione për borxhin sovran.
Biden thotë se kjo do të thotë se ka shkëputje të qeverisë ruse nga financat perëndimore.
“Nuk mund të mbledhë më para nga Perëndimi,” thotë Biden.
Ai thotë se SHBA do të vazhdojë të “përshkallëzojë sanksionet” nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë veprimet e saj në Ukrainë, shkruan BBC.
Ai ka njoftuar se SHBA-ja ka vendosur të sanksionojë plotësisht dy institucione financiare ruse VEB dhe bankën ushtarake. Po ashtu ka vendosur të implemtojë sanksione gjithpërfshirëse ndaj borxhit sovran rus.
“Kjo nënkupton se po këpusim Qeverinë e Rusisë nga financat e Perëndimit”, ka thënë Biden.
Ai ka shtuar se sanksione tjera priten nëse vazhdon Rusia të eksalojë situatën.
Biden ka shtuar se ka autorizuar lëvizje shtesë të forcave amerikane drejt aleatëve në lindje të Evropës, më saktësisht drejt shteteve baltike si Estonia, Letonia e Lituania.
Ai ka thënë se këto lëvizje janë mbrojtëse dhe nuk e ka plan të luftojë me Rusinë.
“Të jem i qartë, këto janë lëvizje defensive nga ana jonë. Nuk e kemi qëllim të luftojmë me Rusinë”, ka thënë Biden.
Ai ka thënë se qëllimi është të dërgojë mesazh te aleatët e SHBA-së se do të mbrojë territorin e NATO-s.
Biden ka thënë se ka qenë vazhdimisht në kontakt me liderët evropianë, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ne jemi të bashkuar në përkrahje ndaj Ukrainës. Jemi të bashkuar në kundërshtimin e agresionit rus. Jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s”, ka thënë Biden.
Biden ka thënë se Putini ka sulmuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar.





