Charles Michel do t’i drejtohet Parlamentit Evropian.

Ndër pikat kyçe të adresimit të kryetarit të Këshillit Evropian është perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se normalizmi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet dialogut është shumë e rëndësishme.

“Përparimi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale e rajonale është çështje urgjente. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet dialogut Prishtinë-Beograd, është e rëndësisë kyçe “- tha Michel.

Ky dialog është në një fazë ngrirjeje, për shkak të vendimit të Prishtinës në lidhje me targat paralele të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia, të cilat duhet të zëvendësohen me RKS deri më 30 shtator.

Beogradi kundërshtues i kërkoi BE-së ta ndal, siç është thënë, qëllimin mizor të Prishtinës.

Michel s’e përmendi fare këtë pikë në adresimin e tij.

Por, në lidhje me targat, BE në një deklarim për Klanin u shpreh qartas, si asnjëherë më parë.

Në përgjigjen e Bashkimit Evropian thuhet se sipas marrëveshjeve Kosova ka të drejtë që gradualisht t’i heq targat e lëshuara nga Serbia.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat të lëshuara nga Serbia. Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë do të përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”- thuhet në përgjigjen e BE-së për Klanin.

Por, Unioni kërkon vigjilencë në veprime.

“Megjithatë është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”.

Po sipas përgjigjes së dhënë për Klan Kosova, BE-ja sqaron Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes, të vitit 2016, përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime.