Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka zhvilluar sot një takim me kreun e FFK-së, Agim Ademi, pas kërcënimit se Llapi do të tërhiqet nga garat në Superligë, raporton Llapi.info.

Nga ky takim, siç ka theksuar klubi llapjan në një komunikatë për medie, “Morën premtime që nuk do të dëmtohen më”.

“Prishtinë, 2 nëntor 2020 – Pas takimit që patëm me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi si dhe nënkryetarin, Agim Dibrani është diskutuar ndeshja e djeshme ndërmjet Llapit dhe Dritës, në të cilën skuadra jonë u dëmtua në mënyrë të tmerrshme nga gjyqtarët e ndeshjes.

Në takimin e sotëm, kryetrajneri i KF Llapi, Tahir Batatina shfaqi brengën e tij në lidhje me referimin nga fillimi i këtij edicioni, duke menduar seriozisht tërheqjen nga garat e Superligës për këtë edicion. Por krerët e FFK-së theksuan që KF Llapi e meriton të jetë pjesë e Superligës dhe më nuk do ketë tendenca dhe dëmtime ndaj klubit”, thuhet në njoftim.

“Pas takimit me FFK-në, u organizua mbledhja online me kryesinë e klubit, të cilët edhe pse të tronditur nga referimi i djeshëm, menduan që duhet të jemi në gjendje gadishmërie të zhvillojmë kampionatin deri në fund, pa marrë parasysh ngjarjet e ndodhura së fundmi në dëm të KF Llapit”, thuhet tutje.

Me polemika të shumta është mbyllur ndeshja e djeshme mes Llapit dhe Dritës. Klubi nga Podujeva ka akuzuar gjyqtarët e kësaj ndeshjeje për mosreferim të rregullt. Ndeshja u mbyll 1-2 në të mirë të gjilanasve./Llapi.info