Skuadra nga Podujeva, KF Llapi, ka arritur t’i marrë tri pikë të plota sot në “Zahir Pajaziti”, duke mposhtur minimalisht 1-0 Besën e Pejës, raporton Llapi.info.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Elvis Prençi në minutën e 58’, i cili pranoi një asist nga Edon Sadriu.

Pas këtij triumfi, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka përsëritur qëndrimin e tij që fokusi i plotë vazhdon të jetë në ndeshjen e së mërkurës ndaj Dukagjinit.

“Ishte një ndeshje e vështirë, pasi që kishim disa mungesa në përbërje dhe disa futbollistë luajtën agjërueshëm. E rëndësishme ishte arkëtimi i pikëve të plota që të stabilizohemi në kampionat. Fokusi ynë kryesor është ndeshja finale e kupës dhe atë synojmë ta arrijmë. Nëse e fitojmë kupën na shtohet edhe motivi dhe nuk besoj që do ta kemi problem në dy ndeshjet e fundit kampionale”, deklaroi Batatina.

Me këtë fitore, Llapi tash i ka 42 pikë dhe ndan pozitën e pestë së bashku e Drenicën që ka po aq pikë, kurse Besa është përshëndetur nga elita e futbollit kosovar, pasi ka grumbulluar vetëm 12 pikë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Arbërisë, ndërkohë që Besa udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin./Llapi.info