Llapi ka arritur të shënojë fitoren e katërt rresht në këtë kampionat, derisa sot ka mposhtur në “Zahir Pajaziti” Feronikelin me rezultat 3-2, raporton Llapi.info.
Bujar Idrizi, Sava Gardasevic, Arbnor Ramadani – realizuan nga një gol në këtë fitore, ndërkohë që për ekipin nga Drenasi të dy golat i shënoi Marko Simonovski.
Pas këtij triumfi, trajneri i ekipit nga Podujeva, Tahir Batatina ka thënë se skuadra që drejton, siç është shprehur ai, është në nivelin e duhur.
“Kemi dominuar non-stop, kemi realizuar mirë ndeshjen.. ata kanë ardhur të mbrohen me 3-5-2, por sido që të jetë djemtë luftuan dhamë maksimumin dhe treguam që Llapi nuk e meriton pozitën në të cilën ishim. Shumë skuadrave në Kosovë do t’iu dhemb koha kur të luajnë kundër Llapit, skuadra është në nivelin e duhur. Shpresoj që t’i eliminojmë gabimet e vogla, fokusin do e kemi tek ndeshja ndaj Onix për kupë”, ka thënë ai.
Më tej, tekniku llapjan ka potencuar se Llapi do sjellë ndryshime në pranverë, teksa ka paralajmëruar edhe ngritje në tabelën e Superligës.
“Në pranverë do e shohim një Llap krejt më ndryshe, në fund të sezonit do jemi në pozitën e tretë, por asnjëherë nuk themi se nuk mund të jemi në pozitën e dytë”, ka thënë ai./Llapi.info






