Llapi është befasuar në shtëpi duke u mposhtur me rezultat 0-2 nga Drenica. Dy gola të Alban Shillovas ishin vendimtarë që drenicasit të kthehen në shtëpi me pikë të plota, njofton Llapi.info.
Pas duelit, trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i pakënaqur për mënyrën e referimit. Siç ka deklaruar Batatina për Super Sport Kosova, ndarja e drejtësisë u bë në mënyrë tendencioze.
“Mendoj që ne është dashur të fitojmë qysh në pjesën e parë kur kishim dy raste të qind për qinda, pastaj erdhi një penallti që nuk dua ta komentojë. Anësorët na dëmtuan në disa raste me disa pozita jashtëloje. Goli i pranuar i Drenicës nuk e kaloi fare vijën fatale dhe kjo mendoj që është bërë me tendencë”, tha fillimisht Batatina.
Më tej, Batatina ka shtuar se Llapi s’do të dorëzohet në luftën për të dalë në garat evropiane.
“Ne jemi dëmtuar në vazhdimësi për të dalë në Evropë, duke u nisur nga finalja e vitit 2017, edicionin e kaluar dhe shumë herë të tjera, vetëm e vetëm për të mos dalë Llapi në Evropë. Por, ne jemi të përkushtuar që të arrijmë objektivat tona dhe nuk do të dorëzohemi deri në xhiron e fundit”, përfundoi Batatina.
Pas humbjes së sotme, Llapi pozicionohet në pozitën e gjashtë me 37 pikë të tubuara, 10 pikë më pak se lideri aktual Prishtina. Në ndeshjen e radhës, Llapi udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin, ndërkohë që Drenica pret Flamurtarin./Llapi.info