Fitorja e madhe e Llapit ndaj Prishtinës (3:0) e ka gëzuar tej mase trajnerin llapjan Tahir Batatinën, ekipi i të cilit konfirmoi kandidaturën për titull të kampionit, ndonëse pak ditë më herët ishte mposhtur nga Trepça ’89.

Madje Batatina ka shkuar aq larg, saqë e ka krahasuar skuadrën e tij me Real Madridin dhe me Barcelonën, shkruan zeri.info.

“Skuadrat e fuqishme e harrojnë humbjen. Edhe Reali e Barcelona humbin, por rikthehen fuqishëm. Edhe ne treguam se jemi skuadër e fuqishme me mentalitet të fortë në aspektin sportiv. Ju kemi qasur ndeshjes me punën dhe intensitetin më të madh gjatë tërë javës duke punuar që t’i eliminojmë të gjitha gabimet nga ndeshja e kaluar që të përmirësoheshim sa më shumë, të ishim më të efektshëm dhe në repartin defanziv”, ka theksuar ai.

Batatinës nuk i kishte pëlqyer aspak kualifikimi i Prishtinës para Llapit në garat evropiane, ku ekipi kryeqytetas ishte eliminuar nga Norrkopingu.

Sipas Batatinës, Llapi do ta kalonte ekipin e fortë suedez.