Llapi ka pësuar edhe humbjen e tretë radhazi në elitën e futbollit kosovar në edicionin pranveror.

Skuadra e Tahir Batatinës e filloi edicionin pranveror si lider por tani e sheh vetën në pozitën e tretë.

Llapjanët u mposhtën edhe në kryeqytet me rezultat të ngushtë 2-1 nga Flamurtari.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka bërë akuza se si u lejua të zhvillohet ndeshja në një terren të rënduar.

“Unë nuk e di çfarë të foli sot për futboll, nuk e di si të lejohet të luhet në këtë teren sportiv, një mesazh i keq se ku zhvillohen ndeshjet e Superligës së Kosovës”.

“Është gjynah, që me i fut futbollistët në këtë teren, ndërsa Flamurtari me çdo kusht ka insistuar të luhet takimi”.

Tutje trajneri i llapjanëve ka thënë se gjyqtarët e ndihmuan Flamurtarin për të marrë fitoren.

“Ndërsa gjyqtarët që pas golit të Llapit, është vërejtur, që anuan nga Flamurtari, me faula afër zonës tonë, më mirë ka qenë të thoshin që t’ia lëshojmë tri pikë Flamurtarit për të mbetur në ligë, sesa të bëhet ai referim”, përfundoi Batatina.

Aktualisht Llapi zë pozitën e tretë në tabelë me 34 pikë të tubuara, pesë më pak se lideri Prishtina.