Anëtari dhe kandidati për Asamble Komunale, Pajtim Balaj ka reaguar ndaj një shkrimi, siç e quan ai të rrejshëm, të një faqeje Facebook- u në drejtim të anëtarëve të familjes së tij.

Sipas shkrimit të publikuar nga një faqe e cila shpërndan lajme të rreme sipas Balajt, thuhet se kandidati i VV- së për kryetar të Podujevës, Ajet Potera e ka ndihmuar një anëtar të familjes Balaj për marrjen e dokumentit si veteran i UCK- së.

Lidhur me këtë, Pajtim Balaj ka shkruar se shpifësit frikacakë të Agim Veliut, me urdhrat e tij me profile e faqe të rreme, kanë filluar që fushatën ta zhvendosin nga niveli politik në atë personal duke shtuar se kur listat e veteranëve ishin përpiluar, Ajet Potera ka qenë në studime në Hamburg.

Më poshtë ja edhe reagimi i Balajt:

Me shkas shpifjet e LDK-së, po e nis këtë reagim së pari si djalë i familjes Balaj e së dyti si aktivist i Lëvizjes VETEVENDOSJE!. Sa për t’ia rikujtuar Agimit dhe miqve të tij nga PDK, historia e familjes Balaj nuk nisi as me LDK-në e as me PDK-në. Përkundrazi historitë e LDK-së dhe PDK-së nisën me Balajt. Familja jonë ka qenë pjesë e rëndesishme në themelimin e të dyjave. Të dyja kanë pasur përkrahjen tonë për aq gjatë sa janë angazhuar për të mirën e përbashkët. Ne i kemi braktisur dhe do t’i luftojmë, për aq gjatë e aq mirë sa ne mundemi. Sepse sakrifica në burgje dhe gjaku i djemve tanë, nuk na lejon dot t’i mbështesim ata që kanë nëpërmbkëmbur çdo ideal në të cilin ky popull ka besuar.

Shpifësit frikacakë të Agim Veliut, me urdhrat e tij me profile e faqe të rreme, kanë filluar që fushatën ta zhvendosin nga niveli politik në atë personal. Kanë filluar fushatë me mbiemra. Po përpiqen të përbaltin Ajet Poterën, duke përdorur mbiemrin Balaj. Po thonë, që Balajt e përkrahin Ajetin, sepse ai paska qenë i përfshirë në përpilimin e listave të veteranëve dhe na e paska ba një favor, duke e futur në listë pa të drejtë njërin nga djemtë e familjes. Gjithë kjo duke harruar dy fakte kryesore:

I pari – kur listat e veteranëve janë përpiluar Ajet Potera ka qenë në studime në Hamburg. I dyti – familja Balaj sikur që ka qenë në krye të demonstratave në vitet 68, 81, 89-91, 98, po ashtu ka qenë ndër familjet e para që janë angazhuar në themelimin UÇK-së. Secili mashkull i rritur tek ne, ka qenë i përfshirë në luftë. Ndër pak raste dhe vende ku zyra e LDK-së ka qenë logjistikë e UÇK-së, është rasti i LDK-së së Podujevës, kjo sepse Nexhmi Balaj ishte ndër pak nga funksionarët e LDK-së që në vend të sabotimit të luftës, zgjodhi ta përkrahte atë. Familja jonë ka qenë edhe në themelimin e Lëvizjes VETEVENDOSJE!.

Labinot Balaj bashkë me një grup të rinjësh, në vitin 2005 themeluan degën e Lëvizjes në Besianë. Kjo për ta dëshmuar, që ne s’jemi me Lëvizjen për Ajetin, por sepse fati i familjes Balaj me Lëvizjen është i lidhur për për gjakun dhe idealin e Mon Balajt dhe sepse ne besojmë që Ajet Potera është njeriu që i mbartë vlerat për të cilat familja jonë është angazhuar në vazhdimësi. E burimin e frikës së Agimit e njohim mirë.

Agimi e di mirë, qysh një pushtet shumë më i keq e mizor se i tij na diferencoi, na burgosi, rrahu e vrau djemtë tanë, por në fund humbi. Pushteti i Agimit na e bëri vetëm diferencimin, në pamundësi për më shumë. Por sikur secili pushtet kriminal, edhe ky i Agimit e ka një fund. E fundi i pushtetit të Agimit është me 22 tetor.