Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se sivjet situata e punëtorëve në sektorin privat vetëm sa është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar.
“Sivjet jemi pak më prapa se në vitin e kaluar. Këto çështje nuk kanë lëvizur pothuajse fare. Gjendja vetëm sa është përkeqësuar. Vitin e kaluar kemi pasur një implementim më të mirë të Ligjit të Punës, kurse sivjet është edhe më keq. Që nga vitit 2012 nuk ka asnjë element që mund të lavdërohemi për punëtorët e sektorit privat, por veç të kundërtën”, ka thënë Azemi.
Ai tutje ka kritikuar edhe BSPK-në e edhe kryeministrin për mos implementim të marrëveshjeve.
“Sindikata jonë Ditën e Punëtorit e ka pothuajse çdo ditë. 80 për qind të protestuesve herëve të kaluara ishin të sektorit privat. E punëtorin duhet ta shikojmë për tërë vitin e jo vetëm sot, prandaj sot s’kemi marrë pjesë në protestën e BSPK-së. Në BSPK kanë benificione të mira. Nuk është bërë presion te kryeministri se pse nuk realizohen marrëveshjet e tij me BSPK-në, ne duhet t’ia zëmë derën kryeministrit dhe të kërkojmë realizimin e kërkesave tona. As kryeministri nuk është në nivel e as BSPK-ja”, ka thënë Azemi.
Ai thotë se Sindikata e sektorit privat është me më së shumti anëtarë në BSPK, por kemi fonde të vogla.
“Jemi sindikata me më së shumti anëtarë, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Aty ku kemi organizim sindikal kushtet janë shumë më të mira. Nëse nuk zbatohet marrëveshja kolektive, megjithatë aty ku jemi prezent kemi rezultate shumë të mëdha. Ne flasim më tepër për mungesën e ligjit se sa për sukseset që kemi”, ka thënë ai.
Sipas Azemit tani më punëtorët nuk bëjnë bojkote, por gjejnë mënyra të tjera për të marrë vëmendjen.
“Tani nuk ekziston bojkoti, por kemi informacione se punëtorët në kompanitë e tyre në mënyrë të organizuar bëjnë protesta. 35 punëtorë e kanë njoftuar sot një kompani se të enjten nuk do të dalin në punë. Tash për tash humbësit më të mëdhenj janë pronarët e kompanive, sepse nuk e di se ku do të gjejnë punëtorë për funksionalizimin e kompanive të tyre. Kjo ndodh pasi punëtorët kanë plane rezervë”, ka thënë Azemi, derisa shton se, “fajtor kryesor është shteti, që ka lejuar pronarët e kompanive që të bëjnë gjithë këtë diskriminim në shpinën tonë. S’do të shkojë gjatë kur shumë kompani do të mbyllen në mungesë të punëtorëve”.
E kërkesat për pagën minimale i ka quajtur lojëra të politikanëve.
“Këto për pagën minimale janë lojëra të politikës. Nuk është në rregull që në sektorin privat të jetë një pagë prej 170 euro, derisa në atë publik marrin 500, 600 e 700 euro. Rrezikshmëria në sektorin privat është shumë e lartë”, ka thënë ai.
Azemi thotë të kenë kërkuar që të krijohet një fond i veçantë për rastet e vdekjeve në vendin e punës, derisa ka përmendur rastin e punëtorit Visar Behrami që vdiq ditë më parë në vendin e punës në Mitrovicë.
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës aty. Kemi thënë se kemi tepër shumë punëtorë pa kontrata. Ky punëtorë ka punuar 12 orë për 10 euro në ditë. E kjo ka mundur t’iu ndodhë edhe tre punëtorëve të tjerë. Kemi kërkuar që të krijohet një fond i veçantë për raste të tilla. Por, në anën tjetër Qeveria jonë çuditem se si nuk vendos që të ndajë 100 mijë euro për këto familje, viktimat e së cilëve kanë punuar për bukën e gojës. Ndoshta do të shkojë edhe një dekadë për punëtorët e sektorit privat të kthejnë besimin në institucione”, ka thënë Azemi.