Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, i përkrahur edhe nga Njësiti Special Operativ, konform urdhëresës së lëshuar nga Gjykata themelore, ka ndërmarrë një operacion bastisjeje në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku është bërë bastisja e tre lokacioneve të ndryshme si dhe arrestimi i një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Ky operacion bastisjeje ka ardhur si rezultat i një pune operative dhe hetimore që hetuesit policor kanë bërë lidhur me identifikimin dhe kapjen e personave të inkriminuar në një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur në nëntor të vitit 2018 në fshatin Dobroshevc të Drenasit.
“Operacioni i bastisjes ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një arme automatike AK 47, dy karikatorëve, 23 fishekëve si dhe dëshmi të tjera që mund të ndërlidhen me një rast vjedhje”.
“Ndërsa personit të dyshuar i cili është 37 vjeçar i është shqiptuar masa e ndalimit dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tij po ashtu është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.






