Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se festimi i 9 majit Ditës së Evropës nga Kosova është veprim i duhur ngase sipas saj, në këtë ditë festohen vlerat e përbashkëta të unionit.
Duke iu përgjigjur gazetarëve, gjatë panairit të shtetet anëtare të BE-së, në sheshin “Adem Jashari” në kryeqytet, ajo tha se nuk duhet që të lidhet Dita e Evropës me heqjen e vizave.
Për vizat ajo pohoi se kjo do të ndodh një ditë, por nuk dha një afat se kur. Apostolova shtoi se reformat që po zhvillohen në Kosovë e afron atë më afër Evropës.
“Sot i festojmë vlerat e përbashkëta të BE-së jam shumë e lumtur që Kosova po feston me ne ditën e Evropës pasi që Kosova është Evropë. Reformat që po zhvillohen në Kosovë po e afrojnë atë afër Evropës”.
“Sot po festojmë identitetin evropian dhe është me rëndësi që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij festimi. Liberalizimi i vizave do ndodhë një ditë”.
Ndërsa Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se Kosova i ka përfunduar të gjitha detyrat e saj për liberalizimin e vizave, raporton EO.
“Për neve është me rëndësi që t’i përqafojmë dhe implementojmë vlerat e Evropës gjithashtu t’i zbatojmë reformat më mënyrë që më shpejtë të integrohemi në Bashkimin Evropian”.
“Ne kemi përfunduar detyrat tona për liberalizim tani shpresoj që shtete anëtare do ta japim përgjigjën e tyre”.