Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, pretendon se i janë vjedhur 50 mijë euro cash në banesën e tij në Prishtinë, para këto që nuk figurojnë të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, a do të hetohet ai nga Antikorrupsioni për mosdeklarim të pasurisë?

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, tha se raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti Shkreta, e mbulon periudhën kohore nga 1 janari -31 dhjetori 2021, ndërsa ngjarja ka ndodhur në muajin qershor.

Sidoqoftë, Buleshkaj thotë se nëse vërtetohet se të hollat janë mbajtur nga viti i kaluar cash në banesë dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje.

“Fillimisht, më vjen shumë keq që një zyrtar i lartë i Kosovës ka qenë viktimë e krimit. Së dyti, raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti, e mbulon periudhen kohore 1 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejt. Raportimi për pasurinë, të hyrat etj bëhet në vitin 2023. Së treti, në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje”, tha Buleshkaj të dielën për Express.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet në drejtim të veprës penale “vjedhje e rëndë”.

“Ju njoftojmë se për rastin e “Vjedhjes së rëndë” janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale. Meqenëse rasti është në hetime, aktualisht nuk mund të japim informata shtesë, andaj për zhvillimet e tjera do të njoftoheni në kohë”, ka konfirmuar prokurori.

Përveç vjedhjes së 50 mijë eurove, sipas raportimeve në media, deputetit të VV-së i janë vjedhur nga banesa edhe stoli ari në vlerë prej 10 mijë euro. Siç raportohet, deputeti ka deklaruar në polici se paratë nuk kanë qenë të tij, por edhe të baxhanakut.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar sot vetë deputeti Mirsad Shkreta.

Ai në Facebook ka shkruar se i ka përmbushur obligimet sipas ligjit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në mars të vitit 2023.

Tutje, ai ka ftuar Ftoj qytetarët dhe mediat, të jenë sa më bashkëpunes me organet e drejtësisë në mënyrë që të kapen keqbërësit.

“Të nderuar miq e qytetarë!

Me 23.06.2022 familja ime ka rënë pre e një vjedhjeje dhe plaçkitjeje në banesën tonë. Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël.

Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre. Vetëm që 1 vit e gjysëm kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike.

Ftoj të gjithë miqtë e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunes me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur inicuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur, e në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt në një shtet të së drejtës”, ka shkruar ai.