Avdullah Hoti ka marrë edhe miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së si kandidat për kryeministër të qeverisë së re, e cila pritet të formohet gjatë ditëve në vijim.

Përmes një letre dërguar këshillit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se 115 anëtarë kanë votuar pro thirrjes së kryesisë, dy vota kanë qenë kundër, ndërsa 7 anëtarë nuk kanë votuar fare, raporton KOHA.

Kjo parti, bashkë me AAK-në e NISMA-n, mësohet se kanë mbledhur nënshkrimet për të thirrur seancën për votimin e ekzekutivit të ri.

Mirëpo, deri të premten këto nënshkrime nuk janë dorëzuar në Kuvend, bëjnë të ditura burime nga legjislativi.

Detaje rreth ndarjes së ministrive AAK-ja nuk ka dhënë as të shtunën. Sekretari i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk kanë diçka konkrete rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa, zyrtarët e LDK-së kanë qenë të paqasshëm gjatë tërë ditës.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike e shohin me dyshime suksesin e një qeverie ndërmjet LDK-së, AAK-së e NISMA-s.

Ky koalicion do të ishte më i pranueshëm, sipas Paçarizit, sikur brenda tij të ishin edhe Vetëvendosja dhe PDK-ja.

Dërgimi i nënshkrimeve në Kuvend, bashkë me dekretin nga presidenti për mandatarin, është hapi i radhës që kërkohet nga LDK-ja dhe partnerët e saj.

Më pas, kryetarja e Kuvendit ka kohë 48 orë që të thërrasë mbledhje të kryesisë, e cila do të caktonte seancën për votimin e qeverisë së re.