Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për marrëveshjen për Asociacionin
Ai për REL ka theksuar se Kosova është kundër asociacionit me karakter një etnik, derisa ka shtuar se “modelet e asociacionit të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme”.
Radio Evropa e Lirë: Të flasim edhe për marrëveshjen që konsiderohet ndër më problematiket, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A ka lëvizje drejt formimit të këtij Asociacioni dhe ku gjendemi aktualisht me këtë marrëveshje?
Albin Kurti: Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat. Pra, nuk besoj që ka ndonjë çështje që komunat e Kosovës nuk mund ta adresojnë në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe fatkeqësisht koncesion i pararendësve të mi.
Radio Evropa e Lirë: I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë që tashmë Asociacioni duhet të diskutohet dhe, sipas tij, ka disa modele evropiane që mund të ndiqen për Asociacionin. A ka ndonjë model të pranueshëm për ju?
Albin Kurti: Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar.
Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë