Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në Han të Elezit, ku janë sekuestruar përkohësisht një automjet furgon dhe rreth 1,000 artikuj të ndryshëm.

Sipas Policisë, më 28 shtator, njësitet e Drejtorisë së Kufirit kanë pranuar informacione se në Han të Elezit ndodhej i parkuar një furgon me targa vendore, i cili dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra pa dokumentacion përkatës.

“Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria e Kufirit, me datën 28.09.2026 ka pranuar informacion se në Han te Elezit ndodhej i parkuar një automjet furgon me targa vendore, i cili dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra të ndryshme pa dokumentacion përkatës.

Gjatë veprimeve policore në lokacion është vërejtur edhe një depo, në të cilën ndodheshin mallra të ndryshme. Në koordinim me prokurorin kujdestar janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar përkohësisht.
Më 29.09.2026, pas konsultimit me prokurorin kujdestar dhe ekzaminimit të mallrave nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, rasti është iniciuar si Kundërvajtje Doganore.

Gjatë numërimit të realizuar nga zyrtarët policorë dhe doganorë janë evidentuar rreth 1,000 artikuj të ndryshëm, përfshirë pajisje elektronike dhe teknike, pajisje kompjuterike, tekstil dhe materiale të ndryshme, duhan të papërpunuar, si dhe artikuj të tjerë.
Automjeti dhe mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar njësisë kompetente të Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme, si dhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet kompetente”, ka njoftuar Policia.