Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e 20.11.2025 rreth orës 22:40 në fshatin Zabel i Ulët – Drenas, ku një veturë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal me ujë.
Në aksident është përfshirë vetura Mercedes C Klas, ngjyrë e zezë, me targa 01-397-ZZ, e drejtuar nga Alban Berjani, i cili po ashtu ka pësuar lëndime. Si pasojë e aksidentit janë lënduar edhe pasagjerët A.P., J.B. (i mitur) dhe A.B. (i mitur), ndërsa viktima Nexhmije Tërnava, 70-vjeçare, ka ndërruar jetë gjatë trajtimit mjekësor.
Në vendin e ngjarjes fillimisht kanë dalë njësitet policore të Stacionit Policor në Drenas dhe autoambulanca, ku të lënduarit janë transportuar me urgjencë në QKUK – Prishtinë.
Rreth orës 00:30, në Emergjencë është konfirmuar vdekja e Nexhmije Tërnavës si pasojë e plagëve të marra.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa gjendja shëndetësore e të lënduarve të tjerë rezulton të jetë stabile.
Sipas hetimeve fillestare, shkak i aksidentit dyshohet të jetë mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, çka ka bërë që vetura të humbasë kontrollin dhe të dalë nga rruga.
Rasti po trajtohet nga njësia e hetimeve të trafikut dhe procedurat hetimore janë në zhvillim.






