Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera do të përballet në balotazh me Agim Veliun, kryetarin aktual të Komunës së Podujevës dhe kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe për një mandat. Në një intervistë për Periskopin, Potera ka treguar nëse do të bëjë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti. Sipas tij, e rëndësishme është që Podujeva të lirohet nga klanet, e të udhëhiqet nga ata që prioritet kanë trajtimin e problemeve të qytetarëve.
Koalicioni i vetëm paragjedhor që do ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë, do të jetë ai me qytetarët, për të cilët Ajet Potera thotë se do të vendosin ndryshe në raudin e dytë, ku do të përballet në balotazh me kandidatin e LDK’së, Agim Veliun, i cili qeverisi me Podujevën qe tri mandate.
Në një intervistë për Periskopin, Potera tha se përkrahja e qytetarëve të Podujevës për Vetëvendosjen është rritur.
“Përkrahja e qytetarëve të Podujevës është rritur për lëvizjen Vetëvendosje. Qytetarët çdo ditë e më shumë po e rrisin besimin në Vetëvendosjen dhe liderët e saj. Mendoj që për raundin e dytë, gjendja është kthyer nga zero”, ka thënë Potera për Periskopin.
Ai foli edhe për rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve, të mbajtura ditë më parë.
“Kemi pritur rezultat më të ngushtë, por kemi pritur se do të rriten subjektet e tjera në Podujevë, ndërsa ndodhi e kundërta sepse pati rënie të subjekteve të tjera, ndërsa ngritje të Lëvizjes. Presim që Klanin e Agim Veliut ta mposhtim. LDK njihet si parti tradicionale, si parti që ka shumë njerëz të devotshëm, por është turpi që në mandatit e ardhshëm të qeveris Agim Veliu. Llapi duhet të lirohet nga Klanet. Mendoj se qytetari ynë është i gatshëm për ndryshim. Kam parë një aktivizim të jashtëzakonshëm të tyre, ka pasur ndoshta edhe manipulime. Unë nuk e kam ndërmend të ankohem. Qytetari do të vendos ndryshe në raudin e dytë”, deklaroi Potera për Periskopin.
Në fund, bëri të ditur se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, por se nuk i preferon koalicionet që bëhen në kurriz të qytetarëve.
“Gatishmëria ime është që të mos bëjë pazare në kurriz të qytetarëve. Por të bëjë koalicion me qytetarin. Unë jam i hapur, nuk kam vija të kuqe. Nuk do të bëjë koalicion me asnjë klan. Unë do të bëjë koalicion me qytetarin dhe më njerëz të mirë që shohin nevojën për ndryshim dhe trajtojnë problemin e qytetarëve”, shtoi Potera.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 22 tetorit doli partia e dytë më e madhe në Podujevë, me 29 për qind të votave. Partia e parë doli LDK me 48 për qind të votave. Këto dy parti do të përballen në balotazh me 19 nëntor.