Në kuadër të shënimit të ditëve të çlirimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nderuar sot me mirënjohje aktorët Adriana Matoshi dhe Fatmir Spahiu, të cilët po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare.

Adriana Matoshi, aktorja më e mirë e shpallur në festivalin “See A Paris” në Francë për rolin në filmin “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës, ka thënë se ndihet e nderuar dhe e privilegjuar me mirënjohjen.

Ajo ka kujtuar në këtë aktivitet kohën e saj që nga lojërat e saj si fëmijë, angazhimin në role të ndryshme në Teatër, pastaj edhe si menaxhere e Teatrit të Qytetit dikur.

Matoshi me këtë rast ka përgëzuar Hazirin për angazhimin në sektorin e investimeve në përgjithësi dhe veçanërisht në sektorin e kulturës që Gjilanit me mbështetjen e tij i ka dhënë emër dhe frymë kulturës në përgjithësi.

Ndërkaq aktori Fatmir Spahiu, i cili është producent i filmit “Nëntori i Ftohtë”, e ka falënderuar të parin e Gjilanit, për kujdesin e veçantë që e shfaqë për aktorët në përgjithësi dhe kulturën, duke i mbështetur në të gjitha projektet.