Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur zhgënjimin për mosvotimin e Projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës.

AAK-ja përmes një komunikate për media, pas dështimit të votimit të Projektligjit në seancën e së enjtes, ka thënë se qytetari u godit pas shpine.

“Varfërimi dhe goditja e vazhdueshme ndaj shtresës së mesme të shoqërisë, dhe atyre në varfëri të skajshme po vazhdon edhe me këtë vendim nga ana e shumicës parlamentare. Sot, qytetari i Kosovës u godit pas shpine, i cili edhe ashtu është në gjendje të vështirë ekonomike. AAK do të vazhdojë të jetë përkrah qytetarëve të Kosovës, me bindje dhe votim të politikave në dobi të interesit qytetar. Sot, Qeveria do të duhej të dorëhiqet”, thuhet në njoftim.

Projektligji mori 57 vota kundër, 44 për dhe një abstenim.

Gjatë diskutimeve rreth Projektligjit ka pasur përplasje të shumta ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.