Kryesia e AAK- së dega në Podujevë nuk është e kënaqur me rezultatet e marra në zgjedhjet e fundit në nivel qendror të cilat u mbajtën më 11 qershor. Për këtë, AAK edhe ka vendosur që përmes një plani të hartuar të bëj përzgjedhjen e kandidatëve të cilët do e përfaqësojnë këtë parti në garën për zgjedhjet komunale të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti, transmeton Llapi.info.
Gjithë këto, janë bërë të ditura përmes një komunikate për medie nga kryesia e AAK- së dega në Podujevë në të cilën është shkruar se “Numri i votave për kandidatët e AAK-së nga Podujeva nuk ka mjaftuar për të zënë vend në parlamentin e ardhshëm por është për të vlerësuar dhe falënderuar votuesit që vazhdojnë ti besojnë AAK-së dhe Ramush Haradinajt dhe Fatmir Humollit me gjithë dyshimet që kanë pasur pas hyrjes në koalicionin PAN.”
“Me gjithë rritjen e votës dhe dyfishimin e votës për Kryetarin Degës se AAK-së në Podujevë z.Fatmir Humolli ,kryesia e degës dhe vet kryetari Humolli pranuan se nuk janë të kënaqur me rezultatin dhe kërkuan nga gjithë struktura e AAK-së ne Podujevë të mobilizohen per zgjedhjet Komunale dhe hartuan një plan për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë AAK-në në në garën për zgjedhjet Komunale. Me këtë rast u caktua edhe data kur do të mbahet mbledhja e këshillit drejtues ku edhe do të zyrtarizohet kandidati për kryetar nga radhët e AAK-së për zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të Podujevës”, thuhet në këtë komunikatë.
Sipas AAK- së drejtuesit e kësaj partie në Podujevë kanë pranuar përgjegjësinë e rezultateve të dobëta dhe se për këtë do të fillojnë që të pranojnë ide të reja nga njerëz të profileve të ndryshme.
“Kryetari Fatmir Humolli dhe Kryesia e degës pranojnë përgjegjësin për rezultatet e arritura dhe zotohen se do të vazhdojnë të jenë në shërbim të anëtarëve dhe qytetarëve dhe do të jenë të hapur për ide të reja dhe njerëz të profileve të ndryshme që të vetmin qëllim e kanë përmirësimin dhe lehtësimin e jetës se qytetarëve për një qeverisje te dinjitetshme, duke i ftuar ata që ti bashkohen AAK-së dhe së bashku të kontribuojmë për një jetë më të mirë për të gjithë” ka bërë të ditur AAK.
Tutje përmes kësaj komunikate, AAK dega në Podujevë ka falënderuar edhe mediet elektronike nga Komuna e Podujevës për punën e bërë gjatë fushatës dhe për pa anshmërinë e tyre./Llapi.info





