Kosovarët e përfshirë në sulmin e Kumanovës ishin duke u hetuar për vepra penale në Kosovë. Prokuroria kishte nisur hetime ndaj tyre para datës 9 maj kur nisi konflikti në Lagjen e Trimave. Gazeta Express sjell detaje se cili ishte plani i “Grupit të Kumanovës” të cilët e kishin vënë në shënjestër thyerjen e burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc.

Prokuroria Speciale i ka ndërlidhur njerëzit që janë përfshirë në rastin e Kumanovës se të njëjtit kishin planifikuar të kryenin vepra penale edhe në Kosovë.

Kjo është konfirmuar në komunikatën e lëshuar të martën nga Prokuroria ku tregohet se veprimet hetimore ndaj tyre kishin nisur para datës 9 e 10 maj, kur edhe ndodhi përleshja e armatosur e një grupi të kosovarëve me policinë dhe ushtrinë maqedonase.

“Veprimet e para hetimore, në këtë rast, kanë filluar para se të ndodhin ngjarjet e fundit në Maqedoni, për shkak të dyshimeve se disa persona kanë planifikuar kryerjen e disa veprave penale në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Por, çfarë planifikonin ky grup të bënin në Kosovë?

Zyrtarë të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Burgut të Dyzit kanë thënë për Gazetën Express, në kushte anonimiteti, se njerëzit e njëjtë planifikonin ta thyenin Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Në këtë burg janë njerëzit më të rrezikshëm në Kosovë të cilët vuajnë dënimet për veprat kriminale që kanë kryer.

Ata kishin lajmëruar Prokurorinë dhe kishin filluar dhe hetimet.

Express e ka pyetur Prokurorinë Speciale lidhur me përfshirjen e “Grupit të Kumanovës” në tentimin për të thyer Burgun e Sigurisë së lartë dhe ka marrë përgjigje se s’mund të japin informata më shumë se sa i kanë dhënë në komunikatë.

“Ju informoj se për rastin që keni kërkuar përgjigje, të gjitha informatat që prokuroria ka mundur t’i bëj publike i ka bërë përmes komunikatës për media”, ka thënë Liridona Kozmaqi, për Gazetën Express.

“Edhe përmes komunikatës Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se përderisa rastin e ka në fazë hetimore nuk mund të bëjë publike informata tjera, mirëpo Prokuroria siguron opinionin se duke u bazuar në kompetencat dhe obligimet ligjore që ka, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e të gjitha akteve të kundërligjshme në vend”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, Njësia Speciale e Kosovës kishte ruajtur për javë të tëra Burgun e Sigurisë së Lartë nga frika se njerëzit që u përfshinë më vonë në rastin e Kumanovës mund të tentonin të thyenin burgun.

Zyrtarët e Policisë, të pyetur se pse e kanë ruajtur Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc me Njësi Speciale, janë përgjigjur se veprojnë aty ky kërkohet të jetë prezenca e tyre.

“Policia e Kosovës, ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e Kosovës dhe aty ku vlerësohet nevoja për shkaqe sigurie të jetë prezenca policore ne veprojmë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi nuk ka folur për mundësinë e përfshirjes së “Grupit të Kumanovës” në ndonjë sulm ndaj Burgut në Gërdoc. Vetëm ka thënë se me Policinë e Kosovës kanë bashkëpunim dhe e ndihmojnë burgun në çështje të sigurisë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka marrëveshje bashkëpunimi të mirë me Policinë e Kosovës dhe ne sipas nevojës kërkojmë asistencë nga Policia e Kosovës ku thuajse çdo ditë ne e kemi prezentë policinë në çështje operacionale ku merr pjesë edhe njësia speciale”, ka thënë ai.

Në konfliktin e armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë ishin përfshirë edhe qytetarë të Kosovës dhe ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Të paktën 22 persona kanë humbur jetën në mesin e të cilëve edhe të paktën tetë nga Kosova dhe 19 të tjerë janë arrestuar.