Lokale - eSIMy

Avokati Besnik R. Berisha ka reaguar ashpër ndaj vendimit të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të një qytetari, pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë dhe kishte shkaktuar dëme minimale në gjelbërim.

Përmes një reagimi publik, Berisha ka ngritur shqetësime serioze për ligjshmërinë e këtij vendimi, duke vënë në pikëpyetje si kualifikimin penal të rastit, ashtu edhe domosdoshmërinë e privimit nga liria.

“Lopa nuk e dinte ku po hynte. Prokurori duhej ta dinte çfarë po bënte!”, ka shkruar ai, duke e cilësuar rastin alarmues për mënyrën se si mund të ushtrohet pushteti prokurorial mbi lirinë e qytetarëve.

Sipas Berishës, problemi nuk qëndron vetëm te vendimi për ndalim, por fillon që te dyshimi për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, për të cilën kërkohet dashje.

“Çfarë dashjeje mund t’i atribuohet një njeriu vetëm pse lopa i ka ikur nga tufa? Cili veprim i tij dëshmon se ka synuar dëmtimin e pasurisë apo se e ka pranuar me vetëdije shkaktimin e tij?”, ka pyetur Berisha.

Ai ka theksuar se përgjegjësia penale është personale dhe se pronësia mbi një kafshë nuk e bën automatikisht pronarin përgjegjës penalisht për dëmin që ajo mund të shkaktojë.

“Pakujdesia eventuale nuk shndërrohet në dashje vetëm pse kështu e kualifikon një prokuror!”, ka theksuar ai.

Berisha ka shpjeguar se dëmi i shkaktuar nga kafsha mund të krijojë përgjegjësi civile, por se ndërmjet detyrimit për kompensimin e dëmit dhe përgjegjësisë penale ekziston një dallim themelor, të cilin një prokuror nuk mund ta shpërfillë.

Megjithatë, shqetësimi më i madh i avokatit lidhet me vendimin për privimin nga liria të pronarit të lopës.

Sipas tij, edhe nëse ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e një vepre penale, ndalimi nuk është pasojë automatike e këtij dyshimi. Ai duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në rrethana konkrete që justifikojnë kufizimin e lirisë.

“Çfarë rreziku paraqiste ky qytetar? Kujt mund t’i ndikonte, nga kush do të arratisej dhe cilat prova mund t’i asgjësonte? Përse zhvillimi i procedurës nuk mund të sigurohej pa e privuar nga liria?”, ka pyetur Berisha.

Ai ka paralajmëruar për rrezikun e shndërrimit të diskrecionit prokurorial në arbitraritet, duke theksuar se kompetenca për të kufizuar lirinë e njeriut duhet të ushtrohet me përgjegjësi dhe brenda kufijve të përcaktuar me ligj.

“Diskrecioni prokurorial nuk është autorizim për arbitraritet. Është kompetencë e kufizuar nga ligji, ushtrimi i së cilës kërkon përgjegjësi, maturi dhe respekt të pakushtëzuar për lirinë e njeriut”, ka deklaruar ai.

Berisha ka qenë veçanërisht kritik edhe ndaj përgjegjësisë profesionale të prokurorit që ka marrë vendimin.

“Po të isha Kryeprokuror i Shtetit, një vendim i tillë do të ishte menjëherë objekt i shqyrtimit profesional. Nëse do të konfirmohej se prokurori ka ngatërruar përgjegjësinë civile me atë penale, pakujdesinë me dashjen dhe diskrecionin me arbitraritetin, për besë, do ta ktheja në bankat e fakultetit për t’i mësuar nga fillimi parimet elementare të së drejtës penale!”, ka shkruar ai.

Sipas tij, pushteti për të kufizuar lirinë e qytetarëve nuk mund t’i besohet dikujt që nuk i kupton kufijtë e atij pushteti.

Berisha ka theksuar se ajo që e bën rastin veçanërisht shqetësues nuk është pazakontësia e incidentit, por lehtësia me të cilën një vendim prokurorial mund ta shndërrojë një ngjarje të zakonshme në privim nga liria.

Reagimin e ka përmbyllur me një mesazh të fortë për përgjegjësinë e prokurorit dhe respektimin e ligjit.

“Lopës mund t’i falet që del nga tufa dhe hyn në oborrin e Gjykatës. Prokurorit nuk mund t’i falet nëse del nga kufijtë e ligjit dhe abuzon me lirinë e njeriut!”

Ai ka theksuar se, nëse konstatohet se ndalimi është urdhëruar pa bazë të ligjshme, përgjegjësia nuk duhet të mbetet çështje diskutimi, por duhet të jetë e pashmangshme.

Reagimi i Avokatit Besnik R. Berisha vjen pas rastit të 13 nëntorit në Graçanicë, ku pronari i lopës, Hashim Miftari, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas nenit 321 të Kodit Penal.

Në deklarimin e dhënë para Policisë, gjyqtari që kishte njoftuar për incidentin kishte sqaruar se dëmi në gjelbërim ishte minimal dhe se kishte kërkuar vetëm që pronarit t’i tërhiqej vëmendja për kujdesin ndaj kafshëve.