Lokale - eSIMy

Më shumë se gjysma e të anketuarve në Kosovë kanë deklaruar se kanë dhuruar para për bamirësi, duke e renditur vendin përpara Gjermanisë, Kanadasë dhe Suedisë.

Kosova renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të qytetarëve që kontribuojnë financiarisht për bamirësi. Sipas raportit ndërkombëtar World Happiness Report 2026, 56,8 për qind e të anketuarve në Kosovë kanë deklaruar se kanë dhuruar para për bamirësi gjatë muajit para intervistimit.

Me këtë rezultat, Kosova zë vendin e 17-të në mesin e 147 vendeve dhe territoreve të përfshira në renditje. Të dhënat bazohen në anketimet e realizuara gjatë periudhës 2023–2025.

Kosova renditet më lart se disa vende të zhvilluara evropiane dhe botërore. Kanadaja zë vendin e 21-të, me 55,9 për qind, Suedia vendin e 23-të, me 55,6 për qind, ndërsa Gjermania renditet e 25-ta, me 54,3 për qind të të anketuarve që kanë deklaruar se kanë dhuruar para për bamirësi.

Edhe në krahasim me disa vende të rajonit, Kosova ka rezultat më të lartë. Në Serbi, 42,3 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kanë dhuruar para për bamirësi, në Slloveni 41,6 për qind, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje është 35,7.

Në krye të renditjes botërore qëndron Indonezia, me 88,6 për qind, e ndjekur nga Mianmari, me 80,4 për qind, dhe Ukraina, me 67,6 për qind.

Megjithatë, treguesi mat vetëm përqindjen e njerëzve që deklarojnë se kanë dhuruar para për bamirësi gjatë muajit të fundit, jo shumën e dhuruar. Renditja gjithashtu nuk merr parasysh dallimet në të ardhurat për banor, ndaj nuk tregon se sa para dhurojnë qytetarët në raport me mundësitë e tyre ekonomike.

Të dhënat për Kosovën janë paraqitur në figurën 34 të aneksit statistikor të raportit World Happiness Report 2026./Albinfo