Dy raste të vdekjes janë raportuar gjatë ditës së enjte, më 15 tetor 2026, në rajonin e Prizrenit.
Sipas policisë, rasti i parë ka ndodhur në Prevallë, rreth orës 13:10, ku një person ka ndërruar jetë pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë një shëtitjeje me familjarët.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Për rastin është njoftuar edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Ndërkohë, një tjetër person është gjetur pa shenja jete në rrugën “Shefqet Berisha”, në Prizren.
Sipas Policisë, viktima është mashkull i moshës madhore, identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkakut të vdekjes.
Të dy rastet janë regjistruar si “Hetim mbi vdekjen”.






