Lokale - eSIMy

Vendimi që pritej nuk erdhi, ndërsa tash beteja për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset në Gjykatën e Apelit. Avokati Skender Musa thotë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara është në kundërshtim me ligjin penal të aplikueshëm dhe se mbrojtja duhet ta godasë atë në të gjitha bazat ligjore. Sipas tij, Apeli ka mundësi ta ndryshojë vendimin, madje edhe t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.

Musa në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Gjykata ka pasur të drejtë të shqiptojë dënim maksimal deri 15 vite.

“Së pari, dua ta sqaroj se vendimi i Dhomave të Specializuara është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprave penale, për shkak se ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale është Ligji Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe ai ligj parasheh dënim maksimal 15 vite ose dënim me pushkatim, apo vdekje. Gjykata ka qenë e obliguar ta zbatojë atë ligj dhe nuk ka pasur të drejtë të shqiptojë dënim 25 vite dhe as 18 vite. Kështu që, në këtë rast kemi shkelje të ligjit penal”, ka deklaruar Musa.

Ai ka ngritur kritika edhe ndaj mënyrës se si, ka funksionuar deri më tani procesi gjyqësor në Hagë.

“Ajo që më ka rënë në sy gjatë aktivitetit, punës së kësaj gjykate është se deri tash asnjë të akuzuar nuk e ka shpallur të pafajshëm. Është e pamundshme që të gjithë të akuzuarit që akuzohen nga prokuroritë e ndryshme të jenë fajtorë. Kjo tregon që kemi të bëjmë me një gjykatë politike, të padrejtë dhe që ka mision me i dënuar ushtarët e UÇK-së, duke përfshirë edhe katërshen që veç i shpalli fajtorë dhe i dënoi”, është shprehur ai.

Sa i përket hapave të ardhshëm, Musa ka thënë se pas pranimit të aktgjykimit nga palët, nis përgatitja e ankesave dhe se procesi në shkallën e dytë, sipas tij, mund të zgjasë rreth një vit, me mundësi që të ketë edhe zgjatje për shkak të kompleksitetit të dosjes.

“Zakonisht pas pranimit të aktgjykimit nga palët në procedurë, prokurori special, avokatët dhe vetë të akuzuarit përgatitin ankesat, dorëzohen brenda një afati 30 ditor ose 60 ditor për shkak të vëllimit të madh të lëndëve, varësisht sa do të jenë këshilla juridike në aktgjykim, dhe ashtu siç parashihet me ligjin e veçantë që e ka Dhoma e Specializuar, zakonisht sipas praktikës kjo gjykatë vendos për 12 muaj. Në këtë rast mund të shtyhet pak, ndoshta edhe 6 muaj më tepër për shkak se është një numër i madh i shkresave të lëndës, një numër i madh i seancave, i dëshmitarëve të dëgjuar e kështu me radhë. Mirëpo, apeli nuk merr afat shumë”, ka thënë Musa.

Avokati ka theksuar se, sipas tij, mbrojtja duhet ta kundërshtojë aktgjykimin në disa baza, duke përfshirë pretendimet për shkelje të procedurës penale, mungesën e një gjykimi të drejtë dhe kundërthëniet që ekzistojnë ndërmjet pjesëve të ndryshme të aktgjykimit.

“Është shumë e rëndësishme që vendimi të goditet në të gjitha bazat për shkak se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale, nuk janë zbatuar dispozitat, nuk është siguruar gjykimi i drejtë, ka kundërtënie mes asaj, mes dispozitivit dhe arsyetimit, edhe ka kundërtënie mes veprave në të cilat janë shpallur fajtorë dhe pastaj për veprat e ngjashme janë shpallur të pafajshëm, gjithë dhe shumë elemente të tjera që natyrisht mbrojtësit e tyre do t’i shqyrtojnë edhe do t’i paraqesin”, deklaroi ai.

Sipas Musës, një tjetër pikë e rëndësishme e ankesës do të jetë edhe mënyra e vërtetimit të gjendjes faktike.

“Kanë me paraqit natyrisht edhe ku ka me bë ankesa edhe në aspektin e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike për shkak se kjo gjykatë, kjo gjyqtarë dhe prokurorë asnjëherë nuk kanë qenë në vendet ku pretendohet se janë kryer krimet dhe nuk kanë paraqit asnjë skicë të vendeve të ngjarjes ku janë kryer krimet, kështu që të gjitha këto detaje do t’i trajtojnë”, tha Musa.

Ai shtoi se përveç çështjeve që lidhen me procedurën, gjendjen faktike dhe bazën juridike, mbrojtja do ta kundërshtojë edhe pjesën që lidhet me sanksionet penale.

“Përveç këtyre tri bazave ligjore që parashihen, natyrisht goditja do të bëhet ndaj aktgjykimit edhe sa i përket sanksionit penal apo dënimit. Është tepër e rëndësishme Gjykata e Apelit. Procedura shkon më shpejt, mund të hapë shqyrtim gjyqësor për ndonjë provë, për ndonjë dëshmitar edhe në Apel mund me kërkesën e mbrojtësve ose ndonjë palë tjetër në procedurë, po procedura është shumë më e shkurtër se në shkallën e parë”, u shpreh ai.

Musa ka shpjeguar edhe kompetencat që, sipas tij, i ka Gjykata e Apelit përballë një aktgjykimi të shkallës së parë.

“Kjo gjykatë ka të drejtë ta anulojë aktgjykimin, ta kthejë lëndën në rigjykim, ka të drejtë ta ndryshojë aktgjykimin që mund t’i zvogëlojë dënimet. Në këtë rast vetëm mund t’i zvogëlojë se nuk ka bazë ligjore për me i rritur, nuk ka asnjë lloj mundësie për me zbatuar për me shqiptuar sanksion më të rëndë. Mirëpo mund ta përmirësojë edhe gabimin e shkallës së parë që dënimet i shqiptojnë në kuadër të ligjit që ka qenë në fuqi dhe ligj që duhet të zbatohet, por edhe mund t’i shpallë të pafajshëm katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo ndonjërin nga ta varësisht në bazë të provave dhe argumentimit që arrihet të bëhet para gjykatës edhe deponimeve me shkrim”, tha ai.

I pyetur nëse, duke marrë parasysh zhvillimin e procesit dhe aktgjykimin e shpallur, pret që Apeli të mund të sjellë një vendim për pafajësi, Musa është shprehur optimist.

“Në bazë të provave edhe këtyre, shpalljes së aktgjykimit dhe publikimit të rezumesë që ia ka bërë kryetari i trupit gjykues dje, mund të pritet që të shpallen të pafajshëm për shkak se të gjitha thëniet në aktgjykim nuk bazohen në prova të drejtpërdrejta, siç janë dëshmitarë okularë, video apo prova materiale të tjera që mund mund t’i vërtetojnë gjendjen faktike”, deklaroi Musa.

Ai ka ngritur pretendimin se aktgjykimi është mbështetur kryesisht në prova rrethanore dhe ka kundërshtuar mënyrën e përdorimit të tyre.

“Aktgjykimi bazohet në prova rrethanore që në bazë të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe të drejtës që zbatohet në Evropë, sistemin kontinental, asnjë qytetar nuk guxon të dënohet në bazë të provave rrethanore pa u bazuar edhe në prova materiale. Në këtë rast provat materiale ju mungojnë. Është më tepër i bazuar ky aktgjykim në shkrimet e para luftës, pas luftës dhe madje edhe në shkrimet e gazetave të Serbisë se sa në prova materiale”, ka thënë ai.

Musa ka vënë theksin edhe te dimensioni që, sipas tij, mund të ketë çështja përtej përgjegjësisë individuale të katër të akuzuarve, duke iu referuar konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

“Natyrisht që mbrojtja, por edhe institucionet e Kosovës do të veprojnë. Fuqishëm është edhe do të punojnë edhe si ekip edhe institucionet e Kosovës sepse në këtë rast dënimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nënkupton që po dënohen në mënyrë individuale. Vepra që është konstatuar se është kryer në bazë të trupit gjykues është ndërmarrja e përbashkët kriminale. Ndërmarrja e përbashkët kriminale lë hapësirë për ta përfshirë komplet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe emrin e saj. Edhe pse këtë e kanë theksuar që UÇK-ja nuk është e paligjshme, po kjo është vetëm një vendim. Ndërkaq në kuadër të veprës ndërmarrja e përbashkët kriminale përfshihet ushtria Çlirimtare e Kosovës, prandaj është e rëndësishme që edhe institucionet e Kosovës të përgatiten dhe ta ndihmojnë mbrojtjen sepse bëhet fjalë për interesat e shtetit dhe të kombit shqiptar”, shtoi Musa.

Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.