Lokale - eSIMy

Një 23-vjeçar nga Kosova është dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim nga Gjykata e Koldingut në Danimarkë, në një rast të gjerë që lidhet me trafikimin e kokainës në zonën e Grindstedit.

Sipas vendimit të gjykatës, 23-vjeçari dhe një 17-vjeçar nga Siria janë shpallur fajtorë për posedimin e përbashkët të të paktën katër kilogramëve kokainë, me qëllim shpërndarjen e saj.

Policia kishte sekuestruar rreth një kilogram kokainë, ndërsa për pjesën tjetër provat janë siguruar përmes materialeve të gjetura në telefona, përgjimeve, të dhënave nga MobilePay dhe metodave të tjera hetimore.

Gjykata e ka konsideruar 23-vjeçarin nga Kosova si personin që kishte rol drejtues në aktivitetin e trafikimit të drogës. Përveç dënimit me burg, ai është dëbuar nga Danimarka dhe ndaj tij është vendosur ndalim i përhershëm i hyrjes në vend.

Në të njëjtin rast, 17-vjeçari sirian është dënuar me 5 vjet e 9 muaj burgim, ndërsa është paralajmëruar edhe për dëbim. Një 40-vjeçar tjetër i përfshirë në çështje është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim.

23-vjeçari nga Kosova dhe 17-vjeçari janë shpallur fajtorë edhe për vepra që lidhen me dhunë, shtrëngim dhe heqje të lirisë, ndërsa kosovari është dënuar gjithashtu për sulm të rëndë ndaj një personi tjetër.

Të tre të pandehurit i kanë mohuar akuzat që lidhen me trafikimin e drogës.

Vendimi nuk është përfundimtar. 23-vjeçari nga Kosova dhe 40-vjeçari kanë apeluar vendimet në Gjykatën e Lartë Perëndimore, ndërsa 17-vjeçari ka kërkuar kohë për të vendosur nëse do të ushtrojë ankesë. /Albinfo