Lokale - eSIMy

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale “spiunazh” dhe “shantazh”. Ai akuzohet se ka ndihmuar Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe materiale që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Në fillim të 2025-tës, KOHA ka informuar se si inspektori i AKI-së ka dorëzuar më 2024 në Prokurorinë Speciale një raport, në të cilin konstatohet se gjatë periudhës 2017-2020 pa u ndjekur procedurat janë shpenzuar 2 milionë euro nga shefat e AKI-së, prej të cilave 639 mijë euro i janë dhënë Fatmir Shehollit

Fatmir Sheholli që ishte paguar mes viteve 2017-2020 me 639 mijë euro nga ish-shefat e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ka ndihmuar Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA), duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe materiale që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe duke pranuar materiale nga ai shërbim i huaj me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme të Republikës së Kosovës.

Dhe ndërkohë që për dosjen që inspektori i AKI-së më 2024 ia ka dorëzuar prokurorisë është thënë se kanë pushuar hetimet, PRSK-ja, të martën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sheholli për dy vepra penale “spiunazh” dhe “shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.