Lokale - eSIMy

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, dyshohet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ të Serbisë, BIA, dhe ka ndihmuar veprimtarinë e tij në Kosovë.

Sipas aktakuzës, Sheholli, nga një periudhë e pacaktuar deri në ditën e arrestimit, “me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – BIA, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi”.

Një pjesë e rëndësishme e aktakuzës lidhet me komunikimet e Shehollit me gazetarin Milaim Zeka.

Sipas Prokurorisë Speciale, më 24 shtator 2025 Sheholli ka kontaktuar Zekën dhe i ka thënë se disa materiale do të mbërrinin më 27 ose 28 shtator, duke u dakorduar që ato të shiheshin dhe të diskutoheshin.

Prokuroria pretendon se Sheholli i kishte paraqitur materialet sikur ishin siguruar nga “GIZ-i gjerman”, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Në të njëjtën kohë, sipas aktakuzës, Sheholli i kishte premtuar Zekës 2 mijë euro për publikimin e materialeve në emisionin “Pa Rrotlla”, 1 mijë euro në fillim dhe 1 mijë euro pas publikimit.

Milaim Zeka sot tha se 1 mijë eurot që i ka marrë nga Fatmir Sheholli, kane qenë për përkthimin e materialit.

Milaim Zeka ka thënë se ato 1 mijë euro ia ka kthyer.

“Ato 1000 euro që m’i ka dhënë kanë qenë për përkthimin e materialeve që e deklaron në polici, ia kam kthy ato 1000 euro”, ka thënë ai në “Dukagjini”

Tutje, ai ka thënë se ka qenë e ditur që “Sheholli është spiun”.