Dogana e Kosovës njoftoj se ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Doganës, njësitë kompetente, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kanë realizuar kontroll në një subjekt farmaceutik, ku është zbuluar një hapësirë e modifikuar në pjesën e tualetit të lokalit.
Në këtë hapësirë, sipas Doganës, ishin fshehur 2,161 pako barnash pa banderola të Republikës së Kosovës.
Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli është zgjeruar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Gjatë kontrollit në bodrum dhe në pjesë të tjera të objektit janë gjetur edhe 398 pako barnash pa banderola.
Në total, në të dy lokacionet janë sekuestruar 2,559 pako barnash, me vlerë të përgjithshme doganore prej 20,745.94 eurosh.
Sipas të dhënave të Doganës, barnat e sekuestruara në subjektin farmaceutik kanë pasur vlerë doganore prej 15,112.84 eurosh, ndërsa ato të gjetura në shtëpinë e banimit janë vlerësuar në 5,633.10 euro.
“Malli i zbuluar në subjektin farmaceutik dhe në shtëpinë e banimit është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave”, thuhet në njoftim.






