Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Shërbimi Korrektues i Kosovës po zhvillohet dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e partnerëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar Kosovën si model në rajon për këtë fushë.
Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës së 46-të të Trajnimit Profesional për Zyrtarë Korrektues, ku 100 kadetë përmbyllën me sukses përgatitjen profesionale dhe iu bashkuan Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria”, tha Kurti.
Ai theksoi se në tri vitet e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë të rinj, duke e cilësuar këtë si investim të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore.
“Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, përparimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës tashmë po vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.“Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por sidomos në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese”, deklaroi ai, shkruan Rtk.
Kurti u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet, duke theksuar se autoriteti i tyre duhet të matet me drejtësinë dhe respektin që tregojnë në punë.






