Lokale - eSIMy

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se do t’i vazhdojnë takimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Para seancës konstituive të Kuvendit, Haziri tha se qytetarët këtkojnë stabilitet dhe normalitet. Tha se do duhet të punojnë “në një agjndë zhvillimore, në një agjendë që Kosovës i jep mundësi”.

“Takimet do të vazhdojnë. Takimet janë të hapura, do të vazhdojnë në çdo kohë. Nuk ka orar të determinuar, kështu që 24 orë, 7 ditë, do të punohet për t’u arritur ky qëllim”, tha ai.

“Krejt në fund, është vullnet politik”, shtoi Haziri.

Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u takuan të martën dhe të mërkurën, pa arritur ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve.

Pas takimit të së martës, Abdixhiku kërkoi “balancë demokratike” dhe tha se do të insistojnë që “të ruhet demokracia e Kosovës dhe që LDK-ja, në qoftë se mund të arrijë partneritet me palën tjetër, të ndjehet e përfaqësuar”.

Ai përmendi seancën konstituive të Kuvendit, ku do të zgjedhjet kryeparlamentari dhe nënkryetarët. Tha se LDK-ja “nuk ka asnjë apetit” për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Në qoftë se deri më datë 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet, të procesohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë, dhe në këtë drejtim, LDK-ja e jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit”, tha ai.

Për çështje të tjera, Abdixhiku tha se do të ketë “afat kohor shtesë”, duke iu referuar afateve të tjera për zgjedhjen e Presidentit dhe të qeverisë së re.

Kurti dhe Abdixhiku zhvilluan një takim të paparalajmëruar edhe dje pasdite. Pas këtij takimi kryetari i LVV-së tha se nuk kishin arritur marrëveshje.