Një pronar i një pike këmbimi valutor në Vlorë ka denoncuar në polici një punonjëse të re, të cilën e akuzon se ka marrë 5 mijë euro nga arka e subjektit dhe më pas është larguar nga vendi i punës.
Sipas kallëzimit të bërë nga pronari, e reja ishte punësuar vetëm një ditë më parë pranë këtij exchange-i. Ai pretendon se gjatë kësaj kohe punonjësja ka marrë shumën e parave nga arka dhe është larguar menjëherë.
Pas konstatimit të mungesës së parave dhe largimit të punonjëses, pronari i është drejtuar Policisë së Vlorës, ku ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të nisur procedurat përkatëse.
Ndërkohë, policia pritet të verifikojë rrethanat e plota të ngjarjes dhe të kryejë hetimet përkatëse për zbardhjen e rastit.
Sakaq, pronari i exchange-it i ka bërë thirrje punonjëses që të kthejë shumën e marrë, me qëllim që situata të zgjidhet pa pasoja të mëtejshme.






