Një mjek pediatër i njohur është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në periferi të Dortmundit, ndërsa për vrasjen është arrestuar djali i tij 41-vjeçar.
Policia të martën pasdite gjeti trupin e 78-vjeçarit Harald N. në vilën ku ai jetonte i vetëm. Hetimet e para ngritën dyshime ndaj njërit prej djemve të viktimës, i cili më vonë u dorëzua në polici, raporton gazeta gjermane Bild.
Sipas mediumit gjerman, 41-vjeçari ka pranuar para autoriteteve se e ka vrarë të atin, pas së cilës është arrestuar.
Hetuesit janë duke punuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, teksa pritet të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Prokuroria në Dortmund do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Sipas medias gjermane, viktima kishte jetuar vetëm që nga vdekja e bashkëshortes së tij në vitin 2019. Ai njihej në Dortmund për angazhimin e tij profesional dhe humanitar, përfshirë mbështetjen për familjet e fëmijëve të prekur nga kanceri.
Banorët e lagjes e kanë përshkruar atë si një person të respektuar dhe të dashur në komunitet, ndërsa kanë shprehur tronditjen për ngjarjen.



![Burri e pështyu në rrugë – shikoni reagimin e kryeministrit hungarez [VIDEO]](https://www.llapi.info/wp-content/uploads/2026/07/752488581_990091174019316_257793734449376411_n-218x150.jpg)


