Lokale - eSIMy

Një denoncim për dhunë në familje ka çuar në zbulimin e një arme automatike në një shtëpi në fshatin Baballoq të Deçanit.

I dyshuari është rreth 65-vjeç ndërsa viktimë bashkëshortja e tij, T. R. rreth 48 vjeç.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja është raportuar më 21 korrik, rreth orës 08:00, kur Policia ka ndërhyrë pas një njoftimi për dhunë në familje.

Viktima është shoqëruar në stacion policor, ku ka deklaruar se për një kohë të gjatë ka qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj. Ajo ka pohuar se edhe ditën kritike ishte goditur në krahun e majtë, në stomak dhe në fytyrë, me çelësat e veturës dhe me një shkop druri.

Sipas deklarimit të saj, bashkëshorti posedonte edhe një armë zjarri, me të cilën e frikësonte dhe e kanoste.

Pas raportimit, Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacion, ku ai ka mohuar akuzat për dhunë ndaj bashkëshortes.

Me urdhër të Prokurorit është kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 dhe një karikator.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Xh.J. është iniciuar procedurë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.