Lokale - eSIMy

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Podgoricën, ku tre persona janë gjetur të pajetë në një lagje të zonës së njohur si Aeroporti i Vjetër.

Sipas mediave vendase, mes viktimave janë identifikuar dy vëllezër nga Rozhaja, Denis Hoti (28) dhe Nezrin Hoti (27). Deri më tani nuk ka indikacione që ngjarja të ketë lidhje me përplasje mes grupeve kriminale.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim një tjetër shtetas nga Rozhaja, Vehid Murić(personi në foto), i cili dyshohet se ka kryer krimin gjatë natës në një apartament me qira. Sipas hetimeve paraprake, ai ka vrarë tre persona me të cilët punonte në një kantier ndërtimi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Policia bën me dije se ngjarjes i kanë paraprirë mosmarrëveshje personale mes viktimave dhe të dyshuarit, ndërsa të gjithë personat janë me origjinë nga Rozhaja.

Dyshohet se krimi është kryer me armë të ftohtë. Pas ngjarjes, autori mendohet të jetë kthyer në qytetin e tij të lindjes, ku sipas burimeve ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.

Ka qenë pikërisht familja që ka njoftuar policinë për incidentin, çka ka çuar më pas në zbulimin e krimit në Podgoricë.