Një incident shqetësues ka ndodhur mbrëmjen e 7 shkurtit në Prishtinë, ku një grua është kanosur dhe ngacmuar në mes të komunikacionit nga një person me motoçikletë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur rreth orës 20:00, në zonën e njohur si “Rrethi me Flamur”, ku viktima M. A (30 vjeç) ka raportuar në Stacionin Policor se ishte rrezikuar fillimisht në trafik dhe më pas ndaluar nga një motoçiklist.
Sipas deklarimit të saj, personi është ndalur përballë saj dhe ka bërë disa herë gjeste me dorë në drejtim të qafës, duke simbolizuar prerjen e kokës, veprim që ajo e ka përjetuar si kanosje serioze.
Policia ka identifikuar shpejt motoçikletën dhe ka shoqëruar të dyshuarin Besart Hoxha (42 vjeç), i cili gjatë intervistimit ka pranuar se kishte bërë gjeste, por ka pretenduar se nuk kishte pasur qëllim kërcënues.
Megjithatë, pas shikimit të kamerave të sigurisë dhe konsultimit me Prokuroren kujdestare, është vlerësuar se ekzistojnë elemente të veprave penale “Kanosje” dhe “Ngacmim”.
Me urdhër të Prokurorisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe aktualisht gjendet në Qendrën e Mbajtjes.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.






