Lokale - eSIMy

Një rast i rëndë i dyshuar për trafikim me njerëz është zbuluar në Gjilan, ku një i ri dyshohet se ka detyruar një vajzë të re të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, përmes dhunës dhe kërcënimeve.

Burime të sigurta bëjnë me dije se rasti ka dalë në pah më 22 janar 2026, rreth orës 00:45, pasi viktima E. A, rreth 20-vjeçare , gjatë trajtimit mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, ka deklaruar se ishte shfrytëzuar seksualisht nga i dyshuari B. M, rreth 29-vjeçar.

Sipas deklarimit të viktimës, ajo ishte detyruar me forcë dhe kërcënime që të kryente marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, duke vepruar nën urdhrat e të dyshuarit.

Pas pranimit të informatës, në rast është angazhuar Njësia për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (NJHTNJ), e cila fillimisht ka siguruar ekzaminimet mjekësore të viktimës, ndërsa më pas e ka intervistuar atë në prezencë të mbrojtësit të viktimave, në përputhje me procedurat ligjore.

Pas deklaratës së dhënë më 23 janar 2026 dhe veprimeve intensive hetimore, policia ka arritur të identifikojë dhe ftojë për intervistim të dyshuarin, i cili më 27 janar 2026 është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Në konsultim me Prokurorin e Krimeve të Rënda, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa hetimet për këtë rast të rëndë janë në vazhdim.

Rasti po trajtohet me prioritet të lartë nga organet e rendit.