Lokale - eSIMy

150 persona janë ndaluar në një operacion të gjerë të Policisë së Kosovës, të premten në Prizren, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit nacionale, ka kuptuar VOX Kosova nga burimet brenda organeve të rendit.

Mes të ndaluarve është edhe djali i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, të cilit, pas rinumërimit, i dolën mijëra vota më tepër sesa realisht kishte në kuti të votimit.

Siç kupton VOX-i, të gjithë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

Ky aksion i Policisë, që është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, vjen disa ditë pasi që organet e rendit autorizuan mbledhjen e provave, duke qenë se rinumërimi i pjesshëm i votave shpërfaqi manipulimet të votave të kandidatëve për deputetë.

Fenomeni i manipulimit të votave më shumti u konstatua në Prizren. Të gjitha partitë e mëdha ishin të përfshira. Më së shumti PDK-ja.

Kur janë rinumëruar mbi 49 për qind e votave, Fetah Paçarizit të PDK-së iu kanë minusuar mbi 6 mijë e 700 vota. I dyti nga PDK është Nait Hasani me mbi 3 mijë e 300 vota të hequra. I treti Kujtim Gashi me mbi 2 mijë e 400 vota. E katërta Luljeta Veselaj Gutaj me minus 2 mijë e 81 vota.

Tek LDK-ja, më së shumti vota të hequra deri më tani ka Xhavit Ukaj, mbi 1 mijë e 600. Pas tij është Driton Selmanaj me 1 mijë e 54 vota. I treti rendite Anton Quni me 512 vota të hequra.

Manipulime të votave ka edhe te VV-ja. Listës i prin Arbër Rexhaj me minus 620 vota deri më tani, i pasuar nga Rea Krasniqi me 556 vota. E treta renditet Dafina Alishani me 446 vota te hequra.

Fillimisht, më 13 janar, KQZ-ja kishte vendosur për rinumërim të pjesshëm të votave. Por, pasi që ky proces shpërfaqi manipulime të mëdha, më 19 janar, KQZ-ja vendosi për rinumërim të plotë. Nga ana tjetër, Prokuroria filloi hetimet.