Zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka, ka dhënë dorëheqje.
Këtë për Klankosova.tv e konfimuan edhe nga Ministria e Drejtësisë.
“Është e vërtetë. Zotëri Naim Uka ka ofruar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Dorëheqja e Ukës vjen një ditë pasi u bë e ditur se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Gjatë ditës së djeshme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e gjakut, urinës e lukthit të aktivistit të vdekur të LVV-së, Astrit Dehari.
Ministria e Drejtësisë, dje bëri të ditur se lidhur me këtë rast janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Të pezulluarit, sipas kësaj ministrie janë Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë, si dhe Ilirjana Shala, Kimiste.






