Dëshmitari J.Sh ka thënë se e ka dëgjuar dhe ka qenë prezentë në momentin kur i akuzuari N.A i ka thënë të dëmtuarit E. M se po “lyp plumb në ballë”.
Këtë deklarim J.SH e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj në rastin ku N.A akuzohet se ka kanosur fqinjin e tij, E.M për shkaqe xhelozie.
Dëshmitari ka thënë se të akuzuarin dhe të dëmtuarin i kishte pasur kojshi derisa kishte qenë prezentë kur kishte ndodhur kanosja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“…Aty në korridorin e katit të parë u takuam me tani të akuzuarin N. I njëjti ka fillu me bërtit me fol fjalë të ndyta si: ti ishte laper, t’i lyp plumb n’lule t’ballit, e fjalë të tjera fyese. Unë dhe i dëmtuari jemi shokuar mbetëm ashtu, pastaj zbritëm prapë poshtë, dhe e pyeta tani të dëmtuarin, çka është puna, ai ma ktheu vallai s’po di sen”, ka rrëfyer dëshmitari J.Sh.
Pas dëgjimit të dëshmitarit J.Sh., në këtë seancë u administruan provat materiale në shkresat e lëndës, për të cilat palët në procedurë nuk patën vërejtje dhe as propozime për prova të reja.
Andaj, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të akuzuarit N.A., i cili ka rrëfyer ngjarjen për çka po akuzohet.
I akuzuari N.A. tha se teksa po ngjitej shkallëve për në banesën e tij, i dëmtuari E.M. i kishte shkuar nga mbrapa dhe i kishte folur.
Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari N.A., tha se ka dhënë deklaratë në polici të cilën e kishte me vete, e që sipas tij ishte e falsifikuar.
Prokurori i çështjes, Ardian Emini tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të veprës penale kundër të akuzuarit N.A., për veprën penale “Kanosje”.
“Pas administrimit të provave gjatë shqyrtimeve gjyqësore, vlerësoj se është vërtetuar se i akuzuari me veprimet e tij ka kryer veprën penale si në dispozitivin e aktakuzës, andaj, me rastin e dënimit, gjykata të ketë parasysh rrethanat rënduese ndërsa ato lehtësuese nuk janë gjetur për këtë rast” deklaroi prokurori Emini
Ndërsa, i dëmtuari E.M., në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk është dëshirë e tij që i akuzuari të dënohet.
I akuzuari N.A., deklaroi se është plotësisht i pafajshëm, tha se nuk ka kanosur e as nuk ka provokuar asnjërin.
“Është absurde tentativa për të më dënuar, ku në këtë gjykim janë ndëgjuar dy dëshmitarë që nuk kanë qenë fare në vendin e ngjarjes” ka thënë i akuzuari N.A.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 12 dhjetor 2022 në ora 15:00.
Sipas aktakuzës, më 18 shtator 2019, në Ferizaj, i akuzuari N.A., e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin E.M, se do ta privojë nga jeta.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari e kanosi të dëmtuarin për shkaqe xhelozie.
Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.






