Lokale - eSIMy

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të premten, është dhënë fjala përfundimtare nga përfaqësuesi i palës së dëmtuara, Riada Kika, avokatit Besim Tafa, nga mbrojtësi i të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokati Fitim Maloku dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokati Florent Latifaj.

Dy të lartcekurit, Ahmeti dhe Vllasaliu po akuzohen së në vitin 2017 në Prishtinë privuan nga jeta N.S. dhe rrezikuan jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Në fjalën e tij avokati i të dëmtuarës Riada Kika, Besim Tafa tha se e mbështes në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit Ilaz Beqirit, dhe se nga provat materiale dhe personale vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë lëndimi i rëndë trupor i shkaktuar ndaj të dëmtuarës Kika, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E mbështes fjalën përfundimtare të prokurorit, ngase nga provat materiale dhe personal të cilat janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale me të cilën i ngarkon aktakuza, meqenëse pala e dëmtuar të cilën e përfaqësoj Riada Kika ka pësuar lëndime të rënda trupore nga veprimet e kundërligjshme të pandehurve”, deklaroi Tafa.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokat Maloku po ashtu paraqiti fjalën e tij përfundimtare duke e dorëzuar fillimisht më shkrim dhe tutje shkurtimisht shtoi se gjykatës i propozon që të bëjë rikualifikim të veprës penale.

“Dua të theksoj publikisht se me ndërgjegje të thellë jam i bindur se drejtësia mund të vihet në vend vetëm nëse të mbrojturin tim gjykata e gjen fajtor për veprën penale ndihma nga neni 33 në drejtim të veprës penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par 5 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha avokati Maloku.

Gjithashtu avokati Maloku kërkoj që me rastin e shpalljes së aktgjykimit propozoi që të akuzuarit Ahmeti të i ndërpritet masa e paraburgimit me arsyen se i njëjti ka prindër të moshuar e më nevojë për përkujdesje.

“Me rastin e shpalljes së aktgjykimit t’i ndërpritet masa e paraburgimit ngase tani veç ka ndryshuar se ekzistuari shkaqet për caktimin e vazhdimit të tij dhe se i njëjti ka dy prindër të moshuar të cilët janë në gjendje jo te mirë shëndetësore, andaj ndërprerja e masës se paraburgimit do ti ndihmonte që i njëjti të ketë përkujdesje më të mirë ndaj prindërve te tij”, shtoi avokati Maloku.

Krejt në fund fjalën e tij përfundimtare e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Vllasaliu, avokati Latifaj, ku tha se nga provat e administruar konkretisht dy ekspertizat është konsumuar vepra penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja vdekje, andaj i propozoi gjykatës rikualifikim të veprës penale.

“Se gjykata duhet me do e mos të ia fal besimin dy ekspertizave të nxjerra për këtë çështje e të cilat detyrimisht e orientojnë gjykatën në rikualifikimin e kësaj vepre penale sepse ajo është e vetmja që mundet kjo gjykatë nga këto prova të administruara në këtë shqyrtim gjyqësor të nxjerr dhe do të ishte i vetmi vendim i drejtë dhe i ligjshëm”, deklaroi Latifaj.

Kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe me 13 dhjetor të këtij viti njoftoi se do të bëhet edhe shpallja e aktgjykimit.

Ndryshe, prokurori i shtetit Ilaz Beqiri fjalën përfundimtare për këtë rast e ka dhënë seancën e kaluar, i cili ka kërkuar nga trupi gjykues dënimin e dy të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të pandehurit Arlind Ahmeti, me vëllezërit N. e Behar Sahiti, derisa Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin N.S dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast, nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Për këtë, ai po akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, në kohë, vend dhe mënyrë si në dizpozitivin e parë të kësaj aktakuze, i akuzuari Vllasaliu, pa autorizim ka poseduar armën me të cilën është kryer kjo vrasje, revolen e tipit “TT” e kalibrit 7.62.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.