Lokale - eSIMy

Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tregoi se kjo parti nuk e përkrah dhe nuk do ta votojë Projektligjin për Zyrtarët Publikë në formën që është.

Ai renditi disa arsye se pse ky projektligj është përpjekje e Qeverisë për të degraduar administratën shtetërore dhe komunale, me theks shërbimin civil.

Sipas Veliut ky projektligj është antikushtetues sepse cenon rëndë të drejtën e punësimit si një prej të drejtave kryesore të njeriut dhe për shkak të përpjekjes së qeverisë për të përvetësuar kompetencën e komunave për të rekrutuar stafin e tyre.

“Në vend se ky projektligj të reflektonte përballë gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese të dhëna përmes aktgjykimit të publikuar më 12.07.2020, me dispozitat që përmban duket se e përbën saktësisht të kundërtën” – tha ai.

Ai tha që nuk ka logjikë juridike e as politike që një pushtet t’i rekrutojë stafin civil një pushteti tjetër, pasi që pushteti lokal është kategori kushtetuese e veçantë nga pushtetit qendror.